- 15 October 2026
Kërkesë për zhvillimin e trajnimit “Menaxhimi i Projekteve” për punonjësit e IdentiTek Sh.A.
TERMAT E REFERENCËS
Për trajnimin me objekt: “Menaxhim i Projekteve” për punonjësit e IdentiTek pjesë e Departamentit të Projekteve dhe Inovacionit dhe struktura të tjera të cilët përfshihen në grupe pune, projekte ndërsektoriale.
1.Qëllimi i trajnimit dhe pritshmëritë
Qëllimi i trajnimit është të krijojë një kuptim të përbashkët dhe të unifikuar mbi themelet dhe praktikat e menaxhimit të projekteve, parimet dhe mënyrën e organizimit të punës në kuadër të projekteve, si dhe përdorimin e një gjuhe dhe metodologjie të unifikuar në bashkëpunimin ndërmjet strukturave, e gjitha kjo e përshtatur drejtpërdrejt me nevojat e shoqërisë IdentiTek .
Pritshmëritë nga trajnimi janë trajtimi i gjithë ciklit të një projekti duke filluar nga faza konceptuale deri tek ajo finale, sipas tematikave më poshtë:
Identifikimi i nevojës dhe inicimi i projektit
Përcaktimi i nevojës, problemit apo mundësisë që adreson projekti, formulimi i koncept idesë, qëllimit dhe objektivave, identifikimi i përfitimeve të pritshme dhe përcaktimi fillestar i fushëveprimit;
Përcaktimi i qasjes ndaj tipologjive të ndryshme të projekteve
Vendimmarrja për qasjen e projektit të përzgjidhet në përshtatje me fushëveprimin (lean, six sigma, agile, etc.);
Përthithja e fondeve
Burimet e financimit që janë aktualisht të disponueshme përmes programeve të ndryshme zhvillimore, llojet e partneriteteve që janë të vlefshme për shoqërinë IdentiTek Sh.A.;
Përcaktimi dhe strukturimi i projektit
Përcaktimi i rezultateve të pritshme, aktiviteteve kryesore, roleve dhe përgjegjësive, aktorëve të përfshirë dhe strukturës së qeverisjes së projektit;
Planifikimi i projektit
Ndërtimi i planit të punës, përcaktimi i afateve dhe etapave kryesore (milestones), identifikimi i varësive ndërmjet aktiviteteve.
Planifikimi dhe menaxhimi i burimeve
Identifikimi dhe planifikimi i burimeve njerëzore, financiare, teknike dhe materiale të nevojshme për realizimin e projektit, si dhe alokimi i tyre sipas aktiviteteve dhe afateve të planit.
Menaxhimi i kostove dhe i buxhetit
Planifikimi i kostove, ndjekja e përdorimit të burimeve financiare dhe monitorimi i devijimeve nga buxheti i planifikuar.
Menaxhimi i riskut
Identifikimi, analizimi dhe vlerësimi i risqeve, përcaktimi i masave parandaluese dhe korrigjuese, si dhe monitorimi i risqeve gjatë zbatimit të projektit.
Menaxhimi i palëve të interesuara dhe komunikimit
Identifikimi dhe analizimi i stakeholder-ëve, përcaktimi i nevojave të tyre për informacion dhe ndërtimi i një plani efektiv komunikimi dhe koordinimi.
Menaxhimi i ekipit të projektit
Ndarja e roleve, koordinimi i punës, delegimi, bashkëpunimi ndërmjet strukturave dhe adresimi i problematikave që mund të lindin gjatë zbatimit.
Monitorimi dhe kontrolli i projektit
Ndjekja e progresit në raport me objektivat, afatet, buxhetin dhe rezultatet e planifikuara, identifikimi i devijimeve dhe ndërmarrja në kohë e masave korrigjuese.
Menaxhimi i ndryshimeve
Identifikimi, vlerësimi dhe dokumentimi i kërkesave për ndryshim, si dhe administrimi i ndikimit të tyre në objektivat, afatet, burimet dhe rezultatet e projektit.
Raportimi dhe dokumentimi
Strukturimi i raporteve të progresit, dokumentimi i vendimmarrjes, problematikave, ndryshimeve dhe rezultateve të projektit.
Finalizimi i projektit
Verifikimi i përmbushjes së objektivave dhe rezultateve, formalizimi i përfundimit, dokumentimi i rezultateve, vlerësimi i performancës së projektit dhe identifikimi i mësimeve të nxjerra për projektet e ardhshme.
2.Metodologjia e trajnimit
Trajnimi do të bazohet në një qasje të integruar teorike dhe praktike, me synim (i) përvetësimin e njohurive dhe metodologjive të përgjithshme të menaxhimit të projekteve dhe (ii) zhvillimin e aftësive për zbatimin e tyre në praktikë. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit do të vlerësojnë aftësitë, kompetencat dhe cilësitë e tyre individuale, për të kuptuar se në cilat faza të ciklit të projektit mund të kontribuojnë më efektivisht, sipas profilit dhe potencialit të tyre profesional. Njohuritë dhe aftësitë e fituara do të përshtaten me nevojat dhe kontekstin konkret të veprimtarisë së IdentiTek Sh.A.
Trajnimi do të zhvillohet në mënyrë interaktive, duke nxitur komunikimin, bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërmjet pjesëmarrësve që ushtrojnë role dhe funksione të ndryshme në shoqëri. Përmes diskutimeve të strukturuara, punës në grupe dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit do të nxiten të zhvillojnë një kuptim të përbashkët mbi tipologjitë e projekteve, fazat e ciklit të menaxhimit të tyre dhe qasjet përkatëse për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e tyre. Njëkohësisht, kjo metodologji synon të forcojë gatishmërinë e strukturave organizative për bashkëpunim dhe ndërveprim ndërfunksional, duke qartësuar rolet dhe kontributet e mundshme të secilës strukturë në faza të ndryshme të ciklit të projektit, me qëllim rritjen e efektivitetit të bashkërendimit dhe krijimin e kushteve për realizimin me sukses të projekteve të ardhshme të IdentiTek SH.A.
Komponenti teorik i trajnimit do të përfshijë konceptet dhe parimet themelore të menaxhimit të projekteve, duke u përqendruar në identifikimin e nevojave, problemeve ose mundësive që justifikojnë inicimin e një projekti, qasjet dhe metodologjitë e menaxhimit të projekteve, në funksion të tipologjisë, kompleksitetit dhe fushëveprimit të tyre, përfshirë metodologjitë tradicionale dhe ato bashkëkohore, si (Lean, Six Sigma dhe Agile), si dhe kriteret për përzgjedhjen e qasjes më të përshtatshme. Një element tjetër i rëndësishëm do të jetë njohja me mundësitë e financimit të projekteve përmes programeve të ndryshme zhvillimore, identifikimi i burimeve të disponueshme të financimit dhe shqyrtimi i formave të partneritetit që mund të shfrytëzohen nga IdentiTek Sh.A. për zhvillimin dhe realizimin e projekteve në përputhje me objektivat dhe prioritetet e saj strategjike.
Komponenti praktik duhet të përfshijë ushtrime dhe simulime në zbatim të elementeve dhe tematikave të cituara në pjesën e qëllimit duke nxitur teknikat e bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërsektorial.
Trajnerët duhet të sigurojnë lidhjen e vazhdueshme ndërmjet koncepteve teorike dhe realitetit operacional të shoqërisë, duke orientuar pjesëmarrësit në përkthimin e parimeve metodologjike në objektiva, masa dhe aktivitete konkrete të zbatueshme.
Metodat e përdorura duhet të përfshijnë prezantime teorike, diskutime të moderuara, punë në grupe, analiza rastesh, ushtrime praktike dhe sesione reflektimi, me qëllim krijimin e një kuptimi të përbashkët dhe ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për menaxhimin e projekteve.
3.Logjistika e trajnimit
Ofruesi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për organizimin e trajnimit duke patur parasysh që pjesëmarrja përbëhet nga 15 punonjës të IdentiTek Sh.A. dhe puna do të organizohet në seanca dëgjimore, grupe pune, ndërveprim dhe me një kohëzgjatje 3 (tre) ditore (pa fjetje), në datat 4, 5 dhe 6 nëntor 2026
Trajnimi duhet të mbahet në ambientet e shoqërisë IdentiTek Sh.A. në adresën: Rruga “Xhanfize Keko”, Tiranë.
Për ditët e trajnimit të parashikohen të paktën 2 (dy) pushim kafe.
Ofruesi i trajnimit do të sigurojë materialet didaktike të nevojshme.
4.Dokumentacioni në përfundim të trajnimit
Ofruesi i shërbimit pritet të dorëzojë pas shërbimit:
- materialet trajnuese (prezantimet, materialet mbështetëse, etj) për temat e mbuluara;
- raport përmbledhës pas trajnimit të kryer;
- certifikatë trajnimi për secilin pjesëmarrës.
5.Afati Kohor
Trajnimi do të zhvillohet me një kohëzgjatje 3 (tre) ditore siç detajohet në pikën 3.
6.Kualifikimet dhe përvoja e ofruesit të shërbimit.
Ofruesi i përzgjedhur duhet të ketë:
- përvojë të provuar në ofrimin e trajnimeve për sektorin publik dhe privat;
- përvojë në ofrimin e trajnimeve të mëparshme të së njëjtës natyrë;
- ekipi i trajnerëve të përbëhet nga profesionistë në fushën e edukimit dhe trajnimeve, me mbi 15 vjet përvojë të kombinuar në sektorin publik, privat dhe botën akademike;
- të paktën njëri prej trajnerëve të mbajë titullin "Doktor Shkencash" ose "Profesor i Asociuar";
- të paktën njëri prej trajnerëve të ketë përvojë si trajner ndërkombëtar, në trajnime me natyrë të ngjashme në rajon apo më gjerë.
7.Dorëzimi i Propozimeve
Ofruesi i shërbimit duhet të dorëzojë si më poshtë:
-Dëshmi për shërbime të mëparshme të ngjashme: Përshkrimi i përvojës së mëparshme të ofruesit në projekte të ngjashme me vlerësimin dhe trajnimin e stafit.
- Ekipi Trajnues: Curriculum Vitae dhe dokumentet mbështetëse të certifikimeve / kualifikimeve.
- Metodologjinë e organizimit të trajnimit: Një shpjegim i detajuar i qasjes që do të përdoret për gjithë trajnimin.
- Ofertën Financiare: Ofertë ekonomike të detajuar për shërbimin e kërkuar, çmim për njësi Lekë pa tvsh, të ndarë në zëra për çdo zë shërbimi, sipas tabelës së pasqyruar në Aneksin 1
Propozimet duhet të dorëzohen deri më 23 tetor 2026 në adresën: “IdentiTek” Sh.A., Rruga “Xhanfize Keko”, Ndërtesa 111, Hyrja 1, Tiranë, Shqipëri dhe me email në adresën [email protected].
Njoftimet e fundit
-
-
14 September 2026STATUSI I APLIKIMIT, EDHE ME SMS.
-
17 August 2026IdentiTek dhe Bashkia Berat nënshkruajnë marrëveshje
-
-
13 August 2026IdentiTek njofton numrin e ri të Shërbimit të Klientit
-
18 June 2026Thirrje për ofrues shërbimi
-
-
-
-
-
-