- 16 October 2026
Kërkesë për trajnim me objekt: “Menaxhimi i Ekipit” për drejtuesit e nivelit të mesëm të Departamentit të Aplikimeve.
TERMAT E REFERENCËS
Për trajnimin me objekt: “Menaxhimi i Ekipit” për drejtuesit e nivelit të mesëm të Departamentit të Aplikimeve
1.Qëllimi i trajnimit dhe pritshmëritë
Qëllimi i trajnimit është forcimi i kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale të Koordinatorëve Rajonalë dhe Supervizorëve të Departamentit të Aplikimeve për drejtimin dhe koordinimin efektiv të ekipeve dhe sektorëve në varësi, përmes zhvillimit të aftësive të komunikimit profesional, delegimit të përgjegjësive, zbatimit të hierarkisë dhe linjave organizative, si dhe parandalimit dhe menaxhimit konstruktiv të konflikteve. Trajnimi synon të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet niveleve drejtuese dhe brenda strukturave rajonale, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi pune bashkëpunues dhe në ofrimin e një shërbimi cilësor ndaj qytetarëve.
Pritshmëritë nga trajnimi janë aftësimi i pjesëmarrësve sipas pikave më poshtë:
Komunikimi profesional, efektiv dhe empatik
Trajtimi i parimeve dhe i teknikave të komunikimit profesional, me fokus te dëgjimi aktiv, empatia, komunikimi i qartë dhe i përshtatur me bashkëbiseduesin, si dhe ruajtja e një qasjeje konstruktive në marrëdhëniet me stafin dhe drejtuesit. Mënyrat e përcjelljes së mesazheve, dhënies së feedback-ut dhe adresimit të shqetësimeve profesionale, duke shmangur keqkuptimet dhe komunikimin, që mund të cenojë marrëdhëniet në punë.
Përcjellja e informacionit, udhëzimeve dhe detyrave
Trajtimi i teknikave për strukturimin dhe përcjelljen e informacionit, udhëzimeve dhe detyrave në mënyrë të saktë, të kuptueshme dhe në kohën e duhur. Qartësimi i pritshmërive, përcaktimi i prioriteteve, verifikimi i kuptimit të udhëzimeve nga marrësit dhe komunikimi në rastet kur lindin paqartësi ose nevoja për sqarime.
Drejtimi dhe koordinimi i ekipeve, delegimi i përgjegjësive dhe respektimi i hierarkisë organizative
Trajtimi i parimeve të drejtimit të ekipeve dhe organizimit të punës, me fokus te ndarja e detyrave, delegimi i përgjegjësive në përputhje me kompetencat e punonjësve, ndjekja e realizimit të detyrave dhe dhënia e mbështetjes për arritjen e objektivave. Do të trajtohen gjithashtu roli dhe përgjegjësitë e Koordinatorëve Rajonalë dhe Supervizorëve në raport me stafin dhe nivelet më të larta drejtuese, si dhe rëndësia e respektimit të hierarkisë, linjave të raportimit dhe kufijve të autoritetit vendimmarrës.
Identifikimi, parandalimi dhe menaxhimi konstruktiv i konflikteve
Trajtimi i shkaqeve dhe formave të konflikteve në mjedisin e punës, përfshirë mosmarrëveshjet që lidhen me ndarjen e detyrave, komunikimin, pritshmëritë profesionale dhe marrëdhëniet ndërmjet punonjësve ose niveleve drejtuese. Do të shqyrtohen mënyrat e identifikimit dhe sinjalizimit të hershëm të situatave konfliktuale, ndërhyrjes së përshtatshme, dëgjimit të palëve dhe kërkimit të zgjidhjeve të drejta e të orientuara drejt bashkëpunimit, duke ruajtur paanshmërinë dhe profesionalizmin.
Menaxhimi i situatave të vështira, kontrolli emocional dhe komunikimi nën presion Trajtimi i teknikave për menaxhimin e situatave të vështira dhe të komunikimit në kushte presioni, veçanërisht në rastet e ngarkesës së lartë të punës, ankesave, pakënaqësive, mosmarrëveshjeve ose kërkesave urgjente. Fokusi do të jetë te vetëkontrolli emocional, ruajtja e qetësisë dhe objektivitetit, reagimi i matur ndaj provokimeve dhe përdorimi i teknikave të komunikimit për të ulur tensionet dhe për të orientuar ndërveprimin drejt zgjidhjes së situatës.
2.Metodologjia e trajnimit
Metodologjia e trajnimit do të bazohet në një qasje të integruar teorike dhe praktike, me synim
(i) përvetësimin e njohurive dhe metodologjive të përgjithshme të menaxhimit të ekipeve, dhe (ii) zhvillimin e aftësive për zbatimin e tyre në praktikë. Nëpërmjet kësaj qasjeje, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të (iii) identifikojnë dhe të vlerësojnë aftësitë, kompetencat dhe cilësitë e tyre individuale, me qëllim komunikimin në mënyrë profesionale dhe empatike, koordinimin e menaxhuar të ekipit, respektimin e strukturave dhe linjave organizative dhe adresimin në mënyrë konstruktive të situatave konfliktuale.
Të paktën 50% e kohëzgjatjes së trajnimit duhet t’u kushtohet aktiviteteve praktike, duke përfshirë diskutime të strukturuara në grup, analiza të rasteve të bazuara në situata reale ose tipike të punës në strukturat e Departamentit të Aplikimeve, simulime të komunikimit ndërmjet drejtuesve dhe stafit, si dhe ushtrime të dedikuara për identifikimin, menaxhimin dhe shuarjen e konflikteve.
Ofruesi i shërbimit duhet të nxisë shkëmbimin e përvojave ndërmjet pjesëmarrësve, reflektimin mbi qasjet e përdorura dhe vlerësimin e alternativave të ndryshme të reagimit, duke ofruar udhëzime dhe feedback konstruktiv për përmirësimin e aftësive komunikuese dhe drejtuese. Ushtrimet duhet të synojnë jo vetëm përvetësimin e koncepteve teorike, por edhe aftësimin e pjesëmarrësve për t’i zbatuar ato në mënyrë efektive, profesionale dhe të përshtatshme me përgjegjësitë e tyre organizative.
Trajnerët duhet të sigurojnë lidhjen e vazhdueshme ndërmjet koncepteve teorike dhe realitetit operacional të shoqërisë, duke orientuar pjesëmarrësit në përkthimin e parimeve metodologjike në objektiva, masa dhe aktivitete konkrete të zbatueshme.
Metodat e përdorura duhet të përfshijnë prezantime teorike, diskutime të moderuara, punë në grupe, analiza rastesh, ushtrime praktike dhe sesione reflektimi, me qëllim krijimin e një kuptimi të përbashkët dhe ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për menaxhimin e projekteve.
3.Logjistika e trajnimit
Ofruesi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për organizimin e trajnimit duke patur parasysh që pjesëmarrja përbëhet nga 15 punonjës të IdentiTek Sh.A. dhe puna do të organizohet në seanca dëgjimore, grupe pune, ndërveprim dhe me një kohëzgjatje 3 (tre) ditore (pa fjetje), në datat 11, 12 dhe 13 nëntor 2026.
Trajnimi duhet të mbahet në ambientet e shoqërisë IdentiTek Sh.A., në adresën: Rruga “Xhanfize Keko”, Tiranë.
Për ditët e trajnimit të parashikohen të paktën 2 (dy) pushim kafe.
Ofruesi i trajnimit do të sigurojë materialet didaktike të nevojshme.
4.Dokumentacioni në përfundim të trajnimit
Ofruesi i shërbimit pritet të dorëzojë pas shërbimit:
- materialet trajnuese (prezantimet, materialet mbështetëse, etj) për temat e mbuluara;
- raport përmbledhës pas trajnimit të kryer;
- certifikatë trajnimi për secilin pjesëmarrës.
5.Afati Kohor
Trajnimi do të zhvillohet me një kohëzgjatje 3 (tre) ditore siç detajohet në pikën 3.
6.Kualifikimet dhe përvoja e ofruesit të shërbimit
Ofruesi i përzgjedhur duhet të ketë:
- përvojë të provuar në ofrimin e trajnimeve për sektorin publik dhe privat;
- përvojë në ofrimin e trajnimeve të mëparshme të së njëjtës natyrë;
- ekipi i trajnerëve të përbëhet nga profesionistë në fushën e edukimit dhe trajnimeve, me mbi 15 vjet përvojë të kombinuar në sektorin publik, privat dhe botën akademike;
- të paktën njëri prej trajnerëve të mbajë titullin "Doktor Shkencash" ose "Profesor i Asociuar";
- të paktën njëri prej trajnerëve të ketë përvojë si trajner ndërkombëtar, në trajnime me natyrë të ngjashme në rajon apo më gjerë.
7.Dorëzimi i Propozimeve
Ofruesi i shërbimit duhet të dorëzojë si më poshtë:
- Dëshmi për shërbime të mëparshme të ngjashme: Përshkrimi i përvojës së mëparshme të ofruesit në projekte të ngjashme me vlerësimin dhe trajnimin e stafit.
- Ekipi Trajnues: Curriculum Vitae dhe dokumentet mbështetëse të certifikimeve / kualifikimeve.
- Metodologjinë e organizimit të trajnimit: Një shpjegim i detajuar i qasjes që do të përdoret për gjithë trajnimin.
- Ofertën Financiare: Ofertë ekonomike të detajuar për shërbimin e kërkuar, çmim për njësi Lekë pa tvsh, të ndarë në zëra për çdo zë shërbimi, sipas tabelës së pasqyruar në Aneksin 1
Propozimet duhet të dorëzohen deri më 23 tetor 2026 në adresën: “IdentiTek” Sh.A, Rruga “Xhanfize Keko”, Ndërtesa 111, Hyrja 1, Tiranë, Shqipëri dhe me email në adresën [email protected].
Njoftimet e fundit
-
-
14 September 2026STATUSI I APLIKIMIT, EDHE ME SMS.
-
17 August 2026IdentiTek dhe Bashkia Berat nënshkruajnë marrëveshje
-
-
13 August 2026IdentiTek njofton numrin e ri të Shërbimit të Klientit
-
18 June 2026Thirrje për ofrues shërbimi
-
-
-
-
-
-