- 18 June 2026
Thirrje për ofrues shërbimi
1. Qëllimi i trajnimit dhe pritshmëritë:
Qëllimi i trajnimit është të krijojë një kuptim të përbashkët dhe të unifikuar të ekipit drejtues dhe stafit të angazhuar në procesin e hartimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit të IdentiTek SHA 2026 - 2029, lidhur me konceptet bazë të planifikimit strategjik, metodologjinë e hartimit të strategjisë, formulimin e objektivave strategjike, përcaktimin e treguesve të performancës dhe ndërtimin e planeve të veprimit. Trajnimi synon gjithashtu të forcojë koordinimin dhe sinergjinë ndërmjet strukturave të shoqërisë, duke siguruar një qasje të harmonizuar në përgatitjen e dokumenteve strategjike.
Pritshmëritë nga trajnimi janë:
• Krijimi i një kuptimi të përbashkët mbi konceptet, parimet dhe terminologjinë e planifikimit strategjik për të gjithë pjesëmarrësit në proces.
• Përmirësimi i komunikimit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet ekipit drejtues dhe strukturave të përfshira, me synim harmonizimin e qasjeve dhe të punës për hartimin e dokumenteve strategjike.
• Fuqizimi i kapaciteteve të stafit për formulimin e objektivave strategjikë, rezultateve të pritshme dhe treguesve të matshëm të performancës, në përputhje me praktikat më të mira të planifikimit strategjik.
• Qartësimi i metodologjisë së lidhjes së objektivave strategjikë me veprimet konkrete, rezultatet e synuara dhe mekanizmat e monitorimit të performancës.
• Rritja e cilësisë, koherencës, realizueshmërisë dhe orientimit drejt rezultateve të Strategjisë dhe Planit të Veprimit të IdentiTek SHA për periudhën 2026–2029.
• Mbështetja e përmbushjes në kohë dhe sipas standardeve të larta të detyrimit të përcaktuar në Urdhrin nr. 249, datë 07.05.2026, për finalizimin e dokumentit strategjik brenda afatit 31 korrik 2026.
• Forcimi i komunikimit institucional dhe krijimi i një qasjeje të unifikuar për orientimin e aktiviteteve, programeve dhe iniciativave të shoqërisë në përputhje me objektivat dhe prioritetet strategjike.
2. Metodologjia e trajnimit:
Metodologjia e trajnimit do të bazohet në një qasje të integruar teorike dhe praktike, me synim jo vetëm transferimin e njohurive, por edhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për planifikimin strategjik dhe hartimin e dokumenteve strategjike të shoqërisë. Kjo qasje do të mundësojë përvetësimin efektiv të koncepteve dhe metodologjive, si dhe zbatimin e tyre në kontekstin konkret të veprimtarisë së IdentiTek SHA.
Trajnimi do të zhvillohet në mënyrë interaktive dhe pjesëmarrëse, duke nxitur komunikimin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet pjesëmarrësve. Përmes diskutimeve të strukturuara, punës në grupe dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit do të inkurajohen të njohin dhe të vlerësojnë qasje të ndryshme, të ndërtojnë konsensus mbi prioritetet strategjike dhe të forcojnë aftësinë për të punuar në mënyrë të koordinuar drejt objektivave të përbashkëta institucionale.
Komponenti teorik i trajnimit duhet të trajtojë konceptet bazë dhe të avancuara të planifikimit strategjik, përfshirë analizën strategjike, formulimin e vizionit, misionit dhe objektivave strategjikë, përcaktimin e rezultateve të pritshme, treguesve të performancës dhe hartimin e planeve të veprimit. Gjithashtu, ai duhet të përfshijë parimet dhe teknikat e komunikimit efektiv ndërpersonal, bashkëpunimit ndërfunksional dhe menaxhimit konstruktiv të diskutimeve në grup, me qëllim forcimin e aftësive të pjesëmarrësve për të ndërtuar mirëkuptim, për të harmonizuar qëndrime të ndryshme dhe për të kontribuar në mënyrë efektive në proceset e përbashkëta vendimmarrëse. Përmbajtja teorike duhet të mbështetet në literaturë dhe praktika bashkëkohore të planifikimit strategjik, zhvillimit organizativ dhe komunikimit institucional.
Komponenti praktik duhet të fokusohet në aplikimin e drejtpërdrejtë të njohurive të marra përmes studimeve të rasteve, ushtrimeve individuale dhe në grup, si dhe punës konkrete mbi elementët e Strategjisë dhe Planit të Veprimit të IdentiTek SHA.
Trajnerët duhet të sigurojnë lidhjen e vazhdueshme ndërmjet koncepteve teorike dhe realitetit operacional të shoqërisë, duke orientuar pjesëmarrësit në përkthimin e parimeve metodologjike në objektiva, masa dhe aktivitete konkrete të zbatueshme.
Metodat e përdorura duhet të përfshijnë prezantime teorike, diskutime të moderuara, punë në grupe, analiza rastesh, ushtrime praktike dhe sesione reflektimi, me qëllim krijimin e një kuptimi të përbashkët dhe ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për planifikim, zbatim dhe monitorim strategjik
3. Logjistika e trajnimit
Ofruesi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për organizimin e Trajnimit duke patur parasysh që pjesëmarrja përbëhet nga 36 punonjës të IdentiTek SHA dhe puna do të organizohet në seanca dëgjimore, grupe pune, ndërveprim dhe me një kohëzgjatje 3 (tre) ditore (pa fjetje).
Trajnimi duhet të mbahet në zona jashtë qytetase, në Tiranë, por jo më shumë se 20 km larg qendrës së Tiranës.
Për ditët e trajnimit të parashikohen të paktën 2 (dy) pushim kafe dhe 1 (një drekë).
4. Dokumentacioni në përfundim të trajnimit
Ofruesi i shërbimit pritet të dorëzojë pas shërbimit:
- Materialet trajnuese (prezantimet, materialet mbështetëse, etj) për temat e mbuluara,
- Raport përmbledhës pas trajnimit të kryer,
- Çertifikatë trajnimi për secilin pjesëmarrës.
5. Afati Kohor
Trajnimi do të zhvillohet me një kohëzgjatje 3 (tre) ditore siç detajohet në pikën 3.
6. Kualifikimet dhe përvoja e ofruesit të shërbimit
Ofruesi i përzgjedhur duhet të ketë:
- Përvojë të provuar në ofrimin e trajnimeve për sektorin publik dhe privat,
- Përvojë në ofrimin e trajnimeve të mëparshme të së njëjtës natyrë,
- Ekpi i trajnerëve të përbëhet nga profesionistë në fushën e edukimit dhe trajnimeve, me mbi 15 vjet përvojë të kombinuar në sektorin publik, privat dhe botën akademike.
- Të paktën njëri prej trajnerëve të mbajë titullin "Doktor Shkencash" ose "Profesor i Asociuar",
- Të paktën njëri prej trajnerëve të ketë përvojë si trajner ndërkombëtar, në trajnime me natyrë të ngjashme në rajon apo më gjerë.
7. Dorëzimi i Propozimeve
Ofruesi i shërbimit duhet të dorëzojë si më poshtë:
- Dëshmi për shërbime të mëparshme të ngjashme: Përshkrimi i përvojës së mëparshme të ofruesit në projekte të ngjashme me vlerësimin dhe trajnimin e stafit.
- Ekipi Trajnues: Curriculum Vitae dhe dokumentet mbështetëse të certifikimeve / kualifikimeve.
- Metodologjinë e organizimit të trajnimit: Një shpjegim i detajuar i qasjes që do të përdoret për secilën fazë të projektit.
- Ofertën Financiare: Ofertë ekonomike të detajuar për shërbimin e kërkuar, çmim për njësi Lekë pa tvsh, të ndarë në zëra për çdo zë shërbimi, sipas tabelës së pasqyruar në Aneksin 1
Propozimet duhet të dorëzohen deri më datë 25 qershor 2026 në adresën: “IdentiTek” SH.A, Rruga “Xhanfize Keko”, Ndërtesa 111, Hyrja 1, Tiranë, Shqipëri dhe me email në adresën [email protected]
Njoftimet e fundit
-
-
-
-
-
-
-
30 January 2026NJOFTIM!
-
-
-
15 January 2026Marrje me qira e zyre Flagship për Shoqërinë IdentiTek SHA
-
13 January 2026Njoftim!
-
06 January 2026Njoftim!